Këmbë të bukura pa varice

October 17, 2019

Variçet e anësive të poshtme janë një patologji e shpeshtë, e cila estetikisht bëhet më e dukshme gjatë periudhës së verës, kur venat varikoze fryhen akoma më shumë. Bëhet fjalë për vena sipërfaqësore (kryesisht të anësive të poshtme) të cilat zgjerohen dhe mbeten përgjithmonë të fryra. Shpesh janë të trashëguara dhe favorizohen nga mbipesha, shtatzënitë, jeta e plogësht pa lëvizje dhe mosha e thyer.

Përveç variçeve sipërfaqësore, të dukshme, egzistojnë edhe ato të quajturat dytësore, si pasojë e flebiteve të venave të thella të këmbëve. Është një sëmundje kronike, shumë e shpeshtë në vendet e industrializuara dhe prek më tepër femrat, ndërsa tek meshkujt manifestohet sidomos për arsye profesionale (persona të cilët qëndrojnë për një kohë të gjatë në këmbë si baristët, kamarierët etj).

Dobësia e pareteve të venave (meiopragia) shpesh është e trashëguar dhe bën që këto të fundit të zgjerohen nën presionin e gjakut. Bëhet fjalë për një patologji beninje, por shpesh përbëjnë një problem qoftë estetik e qoftë funksional, për shkak të mos – qarkullimit të rregullt të gjakut nga periferia drejt zemrës (staza venoze). Disa persona ankohen për ënjtje, krruajtje, ndjesi rëndese, djegie ose kontraktura (ngërç) në pulpat e këmbëve. Tek individët me variçe sipërfaqësore, këto të fundit paraqiten si damarë të trashë me ngjyrë të errët dhe të përdredhur nën lëkurë.

Po ashtu, vërehen edhe shenjat e insuficiencës venoze kronike si diskromi, edema periferike, zona të hiperpigmentuara dhe eventualisht cikatrice ulçeroze. Personat me variçe venoze të thella kanë zakonisht këmbët e holla me teleangjiektazi të përhapura (kapilarë të vegjël të kuq) në lëkurë. Simptomat e këtyre të fundit janë ato të një patologjie osteo – artikulare kronike si artrozat etj, që mund edhe të përkeqësojnë më tej insuficiencën venoze. Në lëkurë vërehen diskromi, zona të hiperpigmentuara, njolla të bardha atrofike, ekzema varikoze dhe eventualisht cikatrice ulçeroze.

Kjo sëmundje mund të komplikohet dhe të degjenerojë në ulçera të venave e të lëkurës si dhe variko – flebite. Këto të fundit janë tromboza të venave varikoze dhe shkaktojnë dhimbje përgjatë këmbëve. Përveç vizitës klinike, një egzaminim shumë i rëndësishëm për diagnostikimin e problemeve varikoze është echo – color – Doppler i cili shërben edhe për programimin e terapisë mjekësore dhe kirurgjikale.

Simptomatologjia dhe komplikimet e mundshme, bëjnë të domosdoshëm një program terapeutik për kurimin e kësaj patologjie, i cili parashikon trajtimin mjekësor me barna dhe ndërhyrje kirurgjikale.