Keni variçe? Ja çfarë duhet të dini për to!

October 15, 2019

Të gjithë dëshirojmë të kemi këmbë të bukura, sidomos femrat. Por për disa prej tyre kjo është e vështirë, për shkak të kapilarëve të dukshëm dhe të variçeve.

Sipas ekspertëve, variçet ose grumbullimi i gjakut jane vena të fryra dhe të shtrembëruara, të dukshme nën sipërfaqen e lëkurës. Ato shkaktohen më shpesh nga qëndrimi për një kohë të gjatë në këmbë ose ulur, nga faktorë gjenetik, mbipesha, shtatzania etj.

Variçet shkaktojnë lodhje të këmbës, ënjtje dhe bezdisje. Ato mund të jenë dhe një paralajmërim i rreziqeve afatgjata të shëndetit si: trombozë, mpiksje gjaku, qarkullim i dobët dhe ënjtje të këmbëve.

Dukshmëria e theksuar shpesh herë ndikon negativisht në psikologjinë e individit, sidomos te seksi femër, pasi prek drejperdrejt pamjen e jashtme në një sipërfaqe të konsiderueshme.

Ato femra që i kanë mund ti eliminojnë për të patur jo vetëm një shëndet të mirë por edhe për të përmirësuar pamjen e këmbëve të tyre.

Së fundmi personat e prekur nga prania e variçeve janë shtuar për arsye të shumta. Në momentin që ato shfaqen është e këshillueshme konsulta me mjekun specialist, në mënyrë që të ndiqet trajtimi i duhur.

Qëllimi i trajtimit të variçeve është lehtësimi i simptomave, parandalimi i komplikacioneve si edhe përmirësimi i dukshëm i pamjes së jashtme.

Stili i të jetuarit ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në krijimin e variçeve, si rrjedhojë është hapi i parë që duhet ndërmarrë për përmirësimin e tyre. Kontakti me mjekun dhe aplikimi i trajtimit të duhur do të bëjë të mundur kurimin përfundimtar të venave varikoze në çdo aspekt.

Së fundmi , për t’ju ardhur në ndihmë, ju sugjerojmë disa keshilla “falas” të aplikueshme në jetën e përditshme, në parandalimin e krijimit të variçeve.

  1. Shmangni të ndenjurën ulur për një kohë të gjatë pa bërë pushim.
  2. Ndërkohë që rrini ulur, mos i kryqëzoni këmbët.
  3. Gjatë kohës që jeni duke pushuar ose duke ndenjur ulur, mbajini këmbët e ngritura sa më shumë.
  4. Herë pas here ngrini këmbët në nivelin e zemrës tuaj (aq sa mundeni nëse nuk e arrini).
  5. Mos mbani veshje tepër të ngushta sidomos rreth pjesës së belit dhe të këmbëve.

Ajo çka bëjmë çdo ditë është ajo çka jemi.

Le të mundohemi të ndihmojmë këtë motorr gjigand në vlera i cili vë në lëvizje mbarë botën, dhe ai është trupi i njeriut.