Lythat: Simptomat, Diagnostikimi dhe Trajtimi

October 18, 2019

Simptomat e lythave

Në këtë rast, simptomat janë vetë lythat.

Çfarë i shkakton lythat?

Lythat shkaktohen si pasojë e infeksioneve të shkaktuar nga virusët e familjes human papilloma (HPV). Ekzistojnë mbi 100 lloje të virusëve të kësaj familje. Lythat mund të dalin në çdo pjesë të trupit tuaj. Ata mund të dalin në lëkurën tuaj, brenda në gojë, në gjenitale apo në zonën tuaj rektale.

Llojet më të zakonshme të këtyre virusëve zakonisht i shkaktojnë lythat e lëkurës (zakonisht në duar dhe gishtërinj). Ndërsa, llojet e tjera të HPV-ve i shkaktojnë lythat në gjenitale dhe në zonën rektale. Disa njerëz kanë rezistencë natyrale më të madhe ndaj këtyre virusëve dhe nuk preken nga lythat lehtë.

Si diagnostikohen lythat?

Zakonisht mjeku juaj mund t’i identifikoj lythat thjeshtë duke i shikuar ato. Në disa raste mjeku juaj i gërvishë qëllimisht lythat tuaj për të kërkuar disa pika të vogla. Këto pika janë enë të koaguluara të gjakut të cilat janë shumë të zakonshme në disa lloje të lythave.

Ndonjëherë mjeku juaj mund të mos jetë i sigurt se xhungat në lëkurën tuaj janë lytha. Në këto raste mjeku mund t’ua heq një pjesë të lythit për ta dërguar në laborator.

A mund të parandalohen lythat?

Disa lloje të lythave mund të parandalohen, ndërsa të tjerat nuk munden. Lythat tuaj mund të shfaqen në mënyrë të natyrshme, varësisht nga shkaktari i tyre. Lythat gjithashtu janë ngjitëse, pra mund të barten nga një person te tjetri. Kjo bartje bëhet me anë të prekjes, me anë të prekjes së objekteve të cilat paraprakisht janë prekur nga një person që ka lytha.

Lythat e gjenitaleve janë tej mase ngjitës dhe mund t’i ngjiten personit tjetër me anë të seksit oral, vaginal apo anal. Është shumë e rëndësishme që të përdorni prezervativ gjatë marrëdhënieve seksuale nëse partneri juaj seksual ka lytha gjenitale. Te femrat lythat mund të dalin edhe në qafën e mitrës (brenda vaginës), dhe femra as mos të jetë në dijeni për to. Ajo mund t’ia bartë këto lytha partnerit të saj pa dije.

Mjekimi i lythave

Zakonisht lythat zhduken vet, megjithëse mund të marrin muaj apo vite. Megjithatë ekzistojnë lloje të lythave të cilat nuk largohen vet. Mjekët nuk janë ende të sigurtë se përse disa lytha zhduken vet ndërsa disa të tjerë jo.

Si bëhet heqja e lythave në lëkurë?

Së pari është e rëndësishme të dini se lloje të ndryshme të lythave hiqen në mënyra të ndryshme. Mos provoni asnjë metodë tradicionale apo ilaçe të cilat i gjeni në shtëpi për t’i hequr lythat e gjenitaleve. Ju mund t’i shkaktoni dëmtim serioz zonës tuaj gjenitale duke vendosur kimikate të ndryshme në të.

Ju nuk duhet të tentoni t’i mjekoni as lythat e fytyrës pa biseduar me mjekun tuaj fillimisht. Në vijim do të gjeni disa metoda për heqjen e lythave nga lëkura. Bisedoni me mjekun tuaj se cila metodë iu përshtatet më së shumti juve.

  • Përdorimi i acidit salicilik. Mund t’i heq lythat nga vende si duart, këmbet dhe gjunjët. Për të pasur rezultate sa më të mira duhet ta përdorni acidin për çdo ditë për javë të tëra. Pasi të bëni dush, thani lëkurën tuaj me kujdes dhe butësi dhe pastaj lyeni lythat tuaj me acid salicilik. Acidi ka efekt më të madh kur vendoset mbi lëkurë të njomë. Para se të laheni sërish ditën e nesërme me limë gërryeni lëkurën e vdekur të lythit.
  • Përdorimi i kantaridinit. Mjeku juaj mund të përdorë kantaridin për të shëruar lythat tuaj. Mjeku i lyen lythat tuaja me këtë ilaç. Gjatë aplikimit shumica e njerëzve nuk ndjejnë dhimbje. Pas 3 deri në 8 orë, ju do të ndjeni pak dhimbje dhe fluska do të krijohen në lythat tuaja. Pas trajtimit, mjeku fashon lythat.
  • Këtë fashe ju nuk duhet ta hiqni për 24 orë. Nëse kantardini është përzier edhe me kimikate të tjera, atëherë ju mund ta hiqni fashën pas vetëm 2 oëve. Në takimin e ardhshëm me mjekun, ai do ta heq lëkurën e vdekur. Nëse lythat nuk janë hequr pas trajtimit të parë, mjeku mund t’u sugjerojë edhe një tretman tjeter.
  • Përdorimi i nitrogjenit të lëngshëm. Mjeku juaj mund të vendosë t’i ngrijë lythat tuaj. Ky lloj i mjekimit quhet krioterapi apo krio-operim dhe shkakton pak bezdisje. Për ta bërë heqjen totale të lythave duhet të bëhet trajtimi me nitrogjen çdo 1 apo 3 javë, ose në total 2 deri në 4 herë. Nëse nuk vërehet ndonjë përmirësim, mjeku juaj mund tu sugjeroj ndonjë metodë tjetër.
  • Mjekime të tjera. Mjeku juaj mund ta bëjë heqjen e lythave edhe me anë të djegies, prerjes apo laserit. Këto tretmane janë efektive, mirëpo mund tu lënë shenja. Këto metoda zakonisht përdoren vetëm kur metodat e tjera nuk kan pasur sukses.