Rënia e flokëve, arsyet potenciale të rrezikut, parandalimi dhe trajtimi i duhur

October 18, 2019

“Floku është korniza e fytyrës”, ky postulat është një ethe e të gjithëve atyre që duan, dhe duhet sigurisht, të kenë një paraqitje sa më të hijshme, të kenë një performancë të admirueshme, të disponojnë një prej armëve më efikase të suksesit, bukurinë.

Por jo gjithnjë ajo që dëshirojmë ka si aleat atë që ndodh. Rënia e flokëve trajtohet nga shumë femra, edhe meshkuj padyshim, si paradhomë e terrorit të ndryshimeve që janë gjithnjë të pamirëseardhura.

Por jo çdo rënie e flokëve është arsye për t’u rënë kambanave të alarmit. Flokët, ashtu si e gjithë gama e përbërësit tonë anatomik, kanë ciklin e tyre të përtëritjes. Por dallimi mes gjendjes normale dhe asaj që kërkon veprim të menjëhershëm reagues është lehtësisht i dallueshëm.

Kjo ndoshta nuk do të jetë e lehtë për meshkujt, zakonisht me flokë të pakët, por femrat janë në gjendje ta evidentojnë në kohën e volitshme për të marrë masat paraprake të prandalimit të përkeqësimit të metejshëm të situatës.

Rënia e flokëve mund të jetë normale (rënia e trashëguar e flokëve), ose anormale, që zakonisht është e përkohshme. Humbja e flokëve mund të prekë meshkujt, gratë dhe fëmijët dhe ekzistojnë një sërë arsyesh që kontribuojnë në të.

Rënia e trashëguar e flokëve

Lloji më i zakonshëm i rënies së flokëve tek meshkujt është “modeli mashkullor tullac” ose ndikimi hormonal androgjenetik, që është edhe shkaku i 95% të rasteve të rënies të flokëve tek meshkujt. Ajo zakonisht fillon rreth moshës 30 vjeçare, por mund të ndodhë në çdo kohë pas pubertetit.

Modeli i rënies së flokëve, është përcaktuar që të jetë gjenetike. Gratë gjithashtu mund të përjetojnë “ndikimin hormonal androgjenetik”, por rënia e flokëve tek femrat është ndryshe në krahasim me meshkujt. Zakonisht fillon rreth moshës 30 vjeçare dhe bëhet e dukshme në moshën 40 vjeçare. Në disa raste mund të jetë akoma dhe më e dukshme pas menopauzës.

Rënia e përkohshme e flokëve

Ka shumë shkaqe të përkohshme të rënies së flokëve, që janë:

– Lindja e fëmijës; kur gruaja është shtatzënë pëson rënien e flokëve më pak se zakonisht, por pas dy–tre muajsh pasi ajo të ketë lindur, vihet re një sasi e madhe e rënies së flokëve;

– Temperatura e lartë, një infeksion i rëndë ose grip;

– Sëmundja e tiroides;

– Pamjaftueshmëria e proteinave në dietën tuaj ose mbajtja e një diete ekstreme;

– Disa ilaçe, që përfshijnë pilulën kontraceptive;

– Trajtimi i kancerit;

– Mungesa e hekurit

– Shkaqet psikologjike; si p.sh. çrregullimi i pandreqshëm ose stresi i rëndë;

– Kirurgjia e madhe ose sëmundjet kronike;

– Infeksionet fungale të kokës;

– Dëmtimi nga tërheqja e fortë e flokëve dhe nga hekuri (pjastra);

– Dëmtimi kimik nga produktet e flokëve.