Sa të rrezikshme janë infeksionet mykotike të lëkurës në rënie e flokëve

October 21, 2019

Mjaft të shpeshta janë dhe infeksionet mykotike të lëkurës që shkaktojnë rënien e flokëve. Infeksioni (tinea capitis) fillon si një puçër e vogël që rritet. Ajo është e kuqe, kruhet dhe lëkura luspëzohet, por edhe mund të rrjedhë një lëng transparent.

Kjo gjendje ëshë ngjitëse gjatë kontaktit me lëkurën. Ajo mund të transmetohet nëpërmjet krëhërit të infektuar, tharëses së flokëve, veshjeve të palara, sipërfaqeve në palestra, dushe dhe pishina. Kjo formë trajtohet me preparate antimykotikë nga mjeku specialist i lëkurës.

Si trajtohet ky fenomen?

Sigurisht që në themel të trajtimit qëndron zbulimi i shkakut, i cili jo gjithmonë është i mundur. Kortizonikët ndihmojnë në shtypjen e përgjigjes imune që dëmton rrënjët e flokëve, antimykotikët luftojnë infeksionet mykotike. Shumë probleme shëndetësore si: anemia, çrregullimet e funksionit të gjendrave tiroide mund të shkaktojnë rënien e flokëve.

Prandaj trajtimi adekuat i këtyre kushteve në bashkëpunim me mjekët specialistë përkatës mund të çojë në rikthimin e rritjes së flokëve. Nëse në themel të rënies së flokëve qëndrojnë mangësitë ushqyese, atëherë duhet të tregohet kujdes për një dietë të shëndetshme që mund të ndihmojë në rikthimin e rritjes së flokëve.

Sa ndihmon terapia me lazer?

Në rigjenerimin e flokëve mund të ndihmojë edhe terapia me lazer. Por, nuk ka të dhëna për sigurinë dhe efikasitetin afatgjatë të kësaj terapie. Sipas statistikave, terapia me lazer mund të jetë efektive për rreth 50 për qind të meshkujve mbi moshën 40 vjeç dhe rreth 75 për qind të grave mbi moshën 65 vjeç që vuajnë nga lloje të caktuara të humbjes së flokëve.

Në kohët e sotme ka gjetur përdorim edhe transplanti i flokëve që përfaqëson një procedurë të lehtë kirurgjikale. Pacientët mund të kenë nevojë për seanca të shumta për të arritur rezultatet e dëshiruara.

Një kujdes i veçantë duhet treguar për produktet që përdorni për larjen dhe stilimin e flokëve pasi marketingu është shumë i fuqishëm. Është mirë që kur keni probleme me flokët, t’i konsultoni këto produkte para përdorimit edhe me mjekun dermatolog.

Kujdes!

Një faktor tjetër që nxit rënien e flokëve jo vetëm për femrat, por edhe për meshkujt është stresi i fuqishëm emocional. Kjo mund të ndodhë gjatë mërzitjeve të rënda (për shembull humbja e një njeriu të dashur), gjatë sezonit të provimeve të vështira, pas sëmundjeve të rënda, operacioneve, etj. Kjo periudhë mund të zgjasë 6 deri në 8 muaj pas zgjidhjes së situatës.