Si mund ti eleminojmë variçet

October 17, 2019

Vena të zgjeruara,të fryra ose të përdredhura në sipërfaqe të lëkurës së këmbëve ose komplikacione të venave varikoze si tromboza,dhembje,ekzema,ulcera,kapilare të vegjël të kuq në sipërfaqe të lekurës etj.

Koncepti më i zakonshëm është që varicet shëmtojnë këmbët tona, por nuk duhet shmangur as efekti i tyre në shëndet. Shumica e personave, 70-80% janë femra, por edhe meshkujt vuajnë nga ky çrregullim. Venat varikoze janë vena të zgjeruara, të fryra ose të përdredhura. Në përgjithësi termi variçe i referohet venave të këmbëve, por ato mund të ndodhin kudo tjetër, si në venat e ezofagut, stomakut, pelviske, venat ovariane te femrat ose venat e skrotumit te meshkujt etj.

Një pjesë e venave janë të pajisura me valvula për të penguar fluksin retrograd të gjakut. Muskujt e venave të këmbëve nëpërmjet kontraktimit bëjnë qarkullimin e gjakut nga periferia drejt zemrës. Kur valvulat ose muskujt nuk funksionojnë sic duhet, një pjesë e gjakut kthehet prapa drejt këmbëve, duke bërë që venat të zgjerohen.

Krahas të qënurit një problem estetik venat varikoze mund të shkaktojnë dhembje të këmbëve, krampe, enjtje, ekzemë, inflamacion të lëkurës ose ulcera. Mund të shoqërohen gjithashtu me teleangiektazi apo sic quhet ndryshet “venat merimangë ” që janë kapilarë të vegjël të kuq në sipërfaqe të lëkures së kembes së prekur.

Venat varikoze kanë kryesisht prejardhje gjenetike, pra trashëgohen familjarisht,por mund të ndodhin edhe për shkaqe si shtatëzania, obeziteti, menopauza, mosha, qëndrimet e zgjatura në këmbë. Trajtimi është jo-kirurgjikal dhe kirurgjikal në rastet kur trajtimi medikamentoz nuk jep rezultat.

Trajtimi jo kirurgjikal përfshin: skleroterapi që përdoret kryesisht në trajtimin e teleangiektazisë dhe në venat varikoze që përsistojnë ose shfaqen pas stripping, aktivitet fizik, përdorimi i çorapeve elastike, dietë e pasur me vitaminë C dhe fibra si dhe trajtim farmakologjik në formë tabletash ose xheli në varësi të rekomandimit të mjekut.

Teknikat kirurgjikale që përdoren më së shumti janë dy: Trajtimi me Lazer ose Eleminimi me metoden Stripping. Mjeku pas një konsulte të detajuar dhe ekzamineve përkatëse programon trajtimin më efikas për rastin tuaj.