Zona ku shfaqen puçrrat tregon sëmundjet që mund të keni

October 14, 2019

Një ndër shqetësimet me të shpeshta që po shfaqen në masë gjatë stinës së vjeshtës është edhe rikthimi i akneve, ose puçrrave të cilat janë infeksione të rrënjëve të qimeve dhe shfaqen kryesisht në fytyrë, gjoks, shpinë, ballë dhe qafë. Sipas bluzave të bardha, tek shumë pacientë, dielli i verës ndikoi në përtharjen e këtyre puçrrave, ndërkohë që në sezonin e vjeshtës kanë filluar të shfaqen përsëri, madje edhe më të përkeqësuara, si dhe më të shumta në numër.

Vjeshta është në fakt stina ku aknet e fytyrës dalin më problematike, ndryshe nga sa ndodh në stinët e tjera. Nuk gjenden vetëm tek adoleshentet, por edhe tek personat rreth të dyzetave, madje edhe tek ata njerëz që nuk kanë pasur ndonjëherë probleme të tilla.

Më shpesh shfaqen tek individët që kanë lëkurë shumë të yndyrshme, teksa më rrallë puçrrat dalin tek personat me lëkurë mikse, apo të thatë.

Mjekët vënë në dukje se rikthimi i këtyre puçrrave në gjendje më të përkeqësuar ndodh pasi dielli ka përtharë vetëm puçrrat e sipërfaqes. Duke vepruar në mënyrë energjike, ka çrregulluar hidratimin e  gjëndrave të yndyrës dhe ka rritur në këto të fundit prodhimin e yndyrës. Kjo e ka bërë lëkurën edhe më të yndyrshme dhe ka favorizuar shfaqjen e puçrrave të tjera.

Aknet janë në përgjithësi janë çrregullime të vogla hormonale që çojnë në rritje të funksionit të gjëndrave të yndyrës në fytyrë. Por, gjithsesi ka edhe shumë shkaqe të tjera që përkeqësojnë situatën. Nëse puçrrat shfaqen në shpinë, faji është i stresit, ose ushqimit.

Kur puçrrat shfaqen tek balli, ato shkaktohen nga problemet e zorrës. Ndërsa në rastet kur dalin në zonën e mjekrës, shkak mund të jenë problemet me veshkat. Kur ato shfaqen tek qafa do të thotë që gratë për shembull janë afër menopauzës.

Gjithashtu mjekët sqarojnë se: kur puçrrat janë të dukshme rreth gojës, problemi edhe këtu është hormonal. Dermatologu është në çdo rast mjeku më specialist, i cili do t’ju përshkruaj kurën e duhur që duhet të ndiqni për trajtimin e këtyre puçrrave, të cilat krahas pamjes estetike janë edhe shumë të dhimbshme. Ndërkohë që tregojnë se dicka në brendësi të organizmit nuk po shkon siç duhet.

Sot gjenden në qarkullim një sërë preparatesh trajtuese, të cilat mund të jenë efikase në zhdukjen e tyre. Por duhet pasur kujdes, që përdorimi të jetë vetëm sipas rekomandimit të mjekut. Në këto raste mund të ndërhyhet me antibiotikë, terapi hormonale dhe trajtime të ndryshme lokale, të cilat mund të zgjasin në kohë.

Është e rëndësishme që gjatë kësaj periudhe të evitoni sa më shumë stresin. Kujdes duhet të bëni edhe me stilin e jetesës. Ushqyerja duhet të jetë sa më e rregullt.

Nuk duhet të neglizhoni marrjen e tre vakteve të plota dhe dy vakte të ndërmjetme, të cilat zakonisht janë fruta. Hani shëndetshëm duke përfshirë të gjitha frutat dhe zarzavatet dhe duke ruajtur raporte të drejta me produktet shtazore (konsumoni më tepër mishin e bardhë, peshkun dhe më pak mishrat e kuq).

Konsumoni dy deri në tre litra ujë në ditë (të shpërndara gjatë gjithë ditës, për të mos rënduar funksionin e veshkës). Konsumi i ujit shmang tharjen e lëkurës.

Është e rëndësishme të merreni me aktivitete sportive, për të eliminuar depozitimin e shtresave dhjamore në zona të caktuara të trupit. Pastrimi dhe kujdesi për lëkurën sigurisht që ka një rëndësi të veçantë. Konsultimi me një estetist në këtë periudhë mund të rezultojë i dobishëm, por në rast se situata paraqitet e rëndë, në këto raste duhet të këshilloheni patjetër me mjekun specialist dermatolog.

Fytyra duhet larë me pastrues që nuk e thajnë lëkurën (hidratantë), por e mbajnë atë të pastër dhe të butë. Pastruesit mund të jenë edhe antibakterialë për të eliminuar bakteret nga sipërfaqja e saj. Edhe kremrat duhet të përdoren sipas llojit dhe tipit të lëkurës. Është i rëndësishëm pastrimi rregullisht i make-up.

Në këto raste kërkohet larje e rregullt e fytyrës dhe tonifikimi i saj.

  • Nëse puçrrat shfaqen në shpinë, shkak është stresi, pasi lëkura e ndjen shumë efektin e ankthit dhe të situatave stresuese. Në shfaqjen e këtyre akneve mund të ndikojë edhe kequshqyerja. 
  • Kur puçrrat shfaqen në zonën e ballit, mjekët sqarojnë se aknet në këto raste mund të shkaktohen nga problemet e zorrës. Shqetësime të cilat nuk duhen lënë në heshtje të kalojnë vetë.
  • Ndërsa në rastet kur puçrrat ndodhen në zonën e mjekrës, si shkak i shfaqjes së tyre mund të jenë problemet që mund të keni pasur me veshkat, trajtimi i të cilave duhet të bëhet nga mjeku specialist.
  • Janë të shumta edhe rastet e pacientëve që ankohen për shfaqjen e akneve në zonën e qafës dhe përreth saj. Kryesisht kjo gjendje shfaqet tek gratë të cilat janë në prag të hyrjes në menopauzë.
  • Për rastet kur puçrrat janë të dukshme  përreth gojës, shfaqja e tyre vjen si rezultat i ndonjë problemi hormonal që mund të ketë manifestuar pacienti.  Ndryshime të cilat nuk duhet të lihen pas dore në trajtim.